Vizitoi pa leje Kullën Eiffel, notarja braziliane përjashtohet nga Olimpiada

Pjesëmarrja në Lojërat Olimpike është një mundësi e madhe dhe një moment unik në jetën e çdo sportisti, megjithatë vjen e shoqëruar edhe me një sërë përgjegjësish brenda fshatit olimpik, që dy notarë brazilianë nuk i kanë përmbushur. Sportistja Ana Vieira dhe partneri i saj, Gabriel Santos, kanë thyer kodin e disiplinës dhe kanë marrë një sanksion nga Komiteti Olimpik Brazilian. Këtë e ka bërë të ditur vetë COB, e cila ka raportuar se ata janë larguar nga vendbanimi gjatë këtyre ditëve për të vizituar pa autorizim Kullën Eifel.

Ata janë “tradhtuar” nga fotot, të cilat më pas i postuan në rrjetet sociale pa asnjë shqetësim, madje duke e ditur se po bënin diçka të ndaluar. Kreu i delegacionit brazilian mori vendimin përkatës. Ana Vieira është përjashtuar dhe është kthyer në Brazil, ndërsa Gabriel Santos është ndëshkuar vetëm me qortim. Dallimi në këtë rast është sesi të dy e kanë përballuar masën disiplinore: Gabriel Santos ka kërkuar falje, duke marrë përgjegjësinë për veprimet e tij, ndërsa notarja vuri në pikëpyetje vendimin teknik të marrë nga komiteti në një mënyrë “mosrespektuese dhe agresive”. Ana Vieira ka marrë pjesë në Lojërat Olimpike 2020 dhe ishte një nga elementët më të rëndësishëm të skuadrës, megjithatë brazilianët nuk kanë hezituar së aplikuari një dënim të rreptë, që mund të ndikojë negativisht në të ardhmen e notares.

 

sfidanti.al