Spektakël, emocione dhe gola ka dhuruar ndeshja e fundit e grupit D midis Holandës dhe Austrisë. Të besuarit e trajnerit Ralf Rangnick kanë dhuruar surprizën, pasi kanë mposhtur 3-2 “tulipanët” dhe falë këtij suksesi austriakët janë ngjitur në krye të grupit, duke lënë pas 2 superfuqi të futbollit kontinental si Franca dhe Holanda. Ndeshja nis me ritëm dhe Austria gjen menjëherë avantazhin falë një autogoli të Malen në minutën e 6-të. Holanda mundohet të reagojë, por Reijnders dhe Malen nuk arrijnë të gjejnë rrugën e rrjetës. Austriakët janë të rrezikshëm dhe i afrohen golit të dytë me Sabitzer dhe Arnautovic. Pavarësisht rasteve, rezultati i pjesës së parë nuk ndryshon. Holanda barazon menjeherë sapo fillon pjesa e dytë me Gakpo, por festa e “tulipanëve” zgjat shumë pak, pasi Austria kalon sërish në avantazh me Schmid. Depay kthen sërish shifrat në ekuilibër, por është Sabitzer që shënon golin e tretë për Austrinë, gol që vulos fatin e kësaj sfide. Përfundon 3-2 në Berlin dhe Austria mbyll grupin në vendin e parë, ndërsa Holanda zbret në vendin e tretë (ishte e kualifikuar pa filluar ndeshja).
Franca nuk shkoi përtej një barazimi 1-1 ndaj Polonisë, tashmë të eliminuar, duke përfunduar në vendin e dytë në Grupin D të Euro 2024, pas Austrisë dhe përpara Holandës. Një rezultat thuajse i bujshëm në Dortmund ku portieri polak Skorupski ishte protagonist i të paktën pesë ndërhyrjeve vendimtare ndaj Mbappe para se të kapitullonte në minutën e 55-të vetëm me një penallti të kapitenit francez. Franca e Deschamps nuk e mbylli rezultatin dhe dhjetë minuta nga fundi pësoi sërish barazimin nga Lewandowski nga pika e penalltisë, të përsëritur pas pritjes së parë të Maignan.
sfidanti.al