Sot është dita e sfidës së madhe, asaj që ndan një erë nga një tjetër në aspektin sportiv e Shqipëria ka në këmbët e saj një shans të madh për ta shtyrë por këtë do ta vendosë fusha, pak fati dhe sasia e dëshirës, talentit dhe sakrificës që do të bëjnë djemtë kuqezi në fushën e stadiumit të Dusseldorf-it. Nuk është një përballje Davidi kundër Golias, është edhe më e thellë në diferencën mes të fortit e të dobëtit apo modestit dhe Shqipëria në këtë mes është Davidi, pavarësisht se Golia nuk do të marrë në këtë betejë armët më të rëndësishme. Ndoshta në prag të kësaj sfide duhet të gërmojmë për të gjetur autorin e shprehjes “futbolli luhet 11 kundër 11 dhe ndeshja nis nga rezultati 0-0”, por pak rëndësi ka se kush e ka thënë sepse shqiptarët sot duhet të besojnë vërtet se mund t’ia dalin.
Nëse i futemi lojës së krahasimeve në çdo rast jemi të humbur e rruga e vetme për të dalë të fituar është që të besojmë se në futboll ndodhin edhe mrekulli e raste të tilla ka plot. Spanja është sot ndoshta kombëtarja më e kuotuar e momentit dhe në asnjë rrethanë nuk mund t’ia lejojë vetes një “prishje imazhi” me modestët kuqezi nga Ballkani por për Shqipërinë, kjo është ndeshja e ndeshjeve e për iberikës, thjesht një sfidë statistikore që ndoshta nuk do t’i karikojë me presion dhe talent këmbët e tyre. Ndoshta sot, do të jemi ne fatlumët për ta kapur demin nga brirët dhe më pas…asnjëherë nuk i dihet.
Nga Pirro Bardhyli