Anglia mori përgjigje shqetësuese nga testi i fundit miqësor para startit të Euro 2024. “Tre Luanët” u mposhtën në Wembley nga Islanda me rezultatin 0-1, teksa pas ndeshjes trajneri Gareth Southgate, theksoi se skuadra e tij shpërdoroi disa mundësi shënimi. Ndër të tjera, Southgate e pranoi se publiku ishte në të drejtën e tij kur nisi të kontestonte lojën e Anglisë ndërsa shtoi se sa i takon dëmtimit të John Stones, nuk ishte asgjë për t’u shqetësuar. “Unë e kuptoj shumë mirë kontestimin nga tifozët, nuk luajtëm mjaftueshëm mirë sa ta bënim ndeshjen interesante. Patëm disa mundësi që normalisht nuk i gabojmë, dhe nëse do të kishim shënuar atëherë historia do të ishte ndryshe. Megjithatë, nga ndeshja me Islandën unë mësova shumë. Na tregoi se duhet të bëjmë maksimumin për ta fituar një ndeshje pasi në të tilla nivele nuk mjafton vetëm talenti. Nuk ishte mbrëmja jonë dhe performanca e skuadrës nuk ishte aty ku duhej. Stones? E zëvendësuam menjëherë pas pushimit, nuk kishte kuptim ta rrezikonim pasi jemi shumë pranë startit të turneut. ishte një zëvendësim për ta ruajtur, ai nuk ka asgjë dhe besoj se është gjithçka në rregull”, u shpreh Southgate. Anglia do ta nisë rrugëtimin e saj në Europian më datë 16 qershor në ndeshjen ndaj Serbisë, teksa britanikët janë pjesë e Grupit C aty ku bën pjesë edhe Danimarka me Slloveninë.
sfidanti.al