Menaxheri i Inzaghit: Tek Interi deri në 2037

Menaxheri i Simone Inzaghit takoi dje drejtuesit e Interit. Biseda u fokusua te rinovimi i trajnerit emilian, i cili shijoi titullin e parë kampion në pankinë. Zikaltrit janë shumë të kënaqur me punën e teknikut, i cili ka edhe 1 vit kontratë. Dhe së shpejti pritet të zyrtarizohet zgjatja e bashkëpunimit mes palëve. Në lidhje me takimin me drejtuesit e kampionëve të Italisë, agjenti Tullio Tinti u shpreh se bisedimet vijojnë. Teksa nuk e kurseu një batutë në lidhje me kohëzgjatjen e saj.

“Nuk e di nëse Simone do të qëndrojë, por po flasim në lidhje me rinovimin. Për mendimin tim, ai do të mbetet tek Interi deri ne 2037. Jemi ende në hapat e parë, por ekziston vullneti i mirë nga të dy palët.Takimi ishte pozitiv, por nuk po nxitohemi. Duke marrë parasysh edhe faktin e ndryshimit të pronësisë së Interit, nuk duhet harruar një gjë e tillë”.

Inzaghi mbylli sezonin e tretë në stolin e skuadrës nga Milano. Deri tani ka fituar një titull, 2 Kupa dhe 3 Superkupa Italie.

sfidanti.al