Bayern piketon pasuesin e Davies

Në shtëpinë e Bayern Munich tema kryesore është trajneri i ri, është ende e paqartë se kush do të jetë pasuesi i Thomas Tuchel, por në të njëjtën kohë drejtuesit e klubit po punojnë për të rinovuar ekipin. Pak ditë më parë i lëshuan një ultimatum anësorit Alphonso Davies, rinovo ose largohu. Nëse Davis zgjedh Real Madrid, atëherë Bayern do të hidhet me kohë të plotë në merkato për të gjetur një zëvendësues. Profili ideal është Theo Hernandez dhe sipas La Gazzetta dello Sport, Bayern është gati t’i plotësojnë çdo kërkesë anësorit francez. Theo ka një kontratë me Milan deri në 2026, ndërsa përfiton 4,5 milionë euro. Bayern i ofron 8-10 milionë euro, por pengesë mbetet Milan pasi “djalli” e vlerëson kartonin e tij me 100 milionë euro. Jo vetëm Davies, një tjetër titullar në dyshim për të ardhmen është edhe Leon Goretzka. Mesfushori po humbet pak nga pak terren në formacionin e Bayern, me drejtuesit që besojnë shumë te Pavlovic. Lojtari ka një kontratë deri në 2026, kjo është vera e duhur për të ndryshuar ambientin, menjëherë pas Evropianit. Sipas Bild: Goretzka është i bindur në këtë pikë, kërkon të ndryshojë ambient, thjesht po pret telefonatën e duhur. Juventus ndjek nga pranë situatën rreth tij, por Goretzka është një lojtar i shtrenjtë për “xhepat” e “Zonjës së Vjetër”, një futbollist që përfiton 17 milionë euro në vit. Goretzka pëlqehet shumë në Premier League, ku për të interesohen ekipe si Chelsea dhe Man.United.

sfidanti.al