Brahim Diaz zgjedh Marokun

Brahim Diaz ka bërë zgjedhjen e tij dhe ka vendosur që të luajë për kombëtaren e Marokut. Lojtari ishte në planet e trajnerit të Spanjës, Luis de la Fuente, për miqësoret kundër Kolumbisë dhe Brazilit, që do të luhen respektivisht në datat 22 dhe 26 të këtij muaji. Brahim Diaz është kthyer në një element të rëndësishëm në Real Madrid, por tashmë ka zgjedhur të përfaqësojë Marokun dhe jo Spanjën në ndeshjet ndërkombëtare.

Real Madridi njoftoi Federatën spanjolle se thirrja e Brahim Diazit nga Federata Marokene e Futbollit kishte mbërritur edhe te klubi merengues. Brahim Diaz kishte kompletuar dokumentacionin e tij për të qenë në gjendje të luante edhe për Marokun dhe federata e shtetit afrikan ndërmori një hap për të cilin po punonte prej muajsh. Këtë të enjte Diaz do të jetë në listën e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Regragui për miqësoret kundër Angolës dhe Mauritanisë. Në qershor, Brahim Diaz do të mund të debutojë në një ndeshje zyrtare, kundër Zambisë dhe Kongos sfida të vlefshme për kualifikueset për Botërorin 2026. Vendimi i Brahimit është pranuar normalisht nga Spanja.

sfidanti.al