Po flitet shumë për një largim të mundshëm madje që në janar. Armando Broja mbetet objektiv i rëndësishëm i tregut të futbollit në Angli dhe në Itali, veçse për momentin, ylli kuqezi nuk dëshiron të shpërqëndrohet. Në një deklaratë për kamerën e klubit, sulmuesi 21-vjeçar shprehet se mendon vetëm për të dhënë kontribut për Çelsin, ndërsa zhurmat janë për një kalim tek Milani apo tek Uest Hemi. Për momentin, futbollisti i kombëtares shqiptare është me londinezët në fazë përgatitore, ndërsa në Katar vazhdon kampionati botëror. “Ju e dini që ne u stërvitëm fort për disa ditë në Kobham, – deklaroi ai, – Kjo do të na ndihmojë shumë në përgatitjen që do të bëjmë këtu në mot të nxehtë. Unë jam i përkushtuar që të vazhdoj të punoj sa më fort. Ne na presin ndeshje të vështira, duke filluar me atë ndaj Aston Vilës dhe pastaj me Bornmuthin. Duhet të përgatitemi mirë për këto ndeshje dhe t’i fitojmë. Duhet të kemi minutazh në këmbë për të qenë gati”.
Çelsi do të ketë miqësore ndaj Aston Vilës këtë të diel, ndërsa rikthimi në Premier Ligë do të ndodhë vetëm në 27 dhjetor në “Stemford Brixh” ndaj Bornmuthit. Broja nuk ka pasur shumë shanse që të tregojë veten këtë sezon duke luajtur vetëm 2 ndeshje si titullar e duke shënuar një gol, ndaj edhe spekullimet për largim janë të shumta. Lajmet e fundit nga Anglia janë që Çelsi nuk pranon t’ia shesë Milanit kartonin e shqiptarit në janar, por ndoshta mund të jetë i hapur për huazim tek Uest Hemi për gjysmën e dytë të edicionit. Vetë futbollisti me gjasë do të pëlqente të shkonte kudo që të kishte minutazh në fushë.
Sfidanti.al