Shefi i Man. Junajtidi paska nevojë për këshilla nga krahu i djathtë i Fergusonit!

Zëvendësoi në klub një figurë që tifozët nuk e deshën kurrë si Ed Uduordi. Sot, shef ekzekutiv i Mançester Junajtidit është Riçard Arnold, i cili pak ditë më parë ra në një grackë të vërtetë me disa tifozë të ekipit, të cilët ia filmuan “tinëz” bisedën konfidenciale që patën me njëri-tjetrin. Arnoldi u shpreh në mirëbesim se klubi kishte bërë shpenzime të jashtëzakonshme dhe kishte dështuar për të arritur suksese në fushë, ndërsa kritikoi paraardhësin. Buja ishte e madhe kur kjo bisedë doli në media, dhe duket se Arnoldi ndjeu se kishte nevojë për këshilla nga njerëz me më shumë përvojë. Nuk mund të gjente më të mirë sesa ish-shefin ekzekutiv të Junajtidit, Dejvid Xhil, që drejtoi në kohën kur trajner i ekipit ishte Sër Aleks Ferguson. Besohet se gjatë drekës në një restorant (e cila gjithashtu u fotografua nga mediat), Arnoldi mori këshillat e duhura.

Sfidanti.al