Nuk luan në treshen e madhe në Itali, por gjithsesi fanela që mban veshur e ka një emër. Sulmuesi shqiptar, Dardan Vuthaj, e tregoi veten këtë sezon tek Novara në kategorinë e katërt italiane, duke qenë i paarritshëm nga askush. Ish-lojtari i Laçit në Superligën shqiptare ka shënuar 35 gola këtë edicion, duke qenë më i miri në Itali në të gjitha nivelet e futbollit. Sulmuesi 26-vjeçar mban fanelën me numrin 9, një krenari që të jetë trashëgimtar i largët i legjendës së kaltër, Silvio Pioli, që e bëri Novarën emër të madh në Itali në vitet mes dy luftërave botërore. i lindur në Greqi dhe i rritur si futbollist tek Xhenoa në Itali, Vuthaj ka rezultuar përforcim i madh për ekipin nga Piemonti, me të cilin u bashkua verën e kaluar.
Novara siguroi ngjitjen në kategorinë e tretë, duke fituar Grupin A të kampionatit të Serisë D, me 85 pikë, e duke pësuar vetëm 3 humbje në 38 ndeshje. Diferenca me ndjekësit ishte e madhe, ndërsa sulmuesi shqiptar ishte kontribuesi kryesor pasi shënoi 35 nga 75 gola gjithsej të Novarës, pra diçka më pak se gjysmën. Për më tepër, Vuthaj shërbeu edhe mjaft asistë për shokët. Në Itali e quajnë me dashamirësi “Dardanjan” ose “Dadi”, ndërsa djaloshi me origjinë nga Kurbini e ka marrë profesionin nga babai i tij, ish-sulmuesi i njohur shqiptar i viteve 90-të, Andi Vuthaj. Nuk dihet nëse 26-vjeçari do të luajë në kategorinë e tretë me Novarën apo do të kalojë në ndonjë nivel më të lartë, ndërsa është e sigurt që ka tërhequr vëmendjen e mjaft klubeve sidomos në Serinë B.
Sfidanti.al