Juventusi betohet se nuk është fajtor, ndërsa fiton me Salernitanën

“Nuk i kemi shtrirë këmbët më shumë se ç’e kemi jorganin”. Këto janë fjalët e zv. presidentit Pavel Nedved lidhur me akuzat për mashtrim financiar nga ana e Juventusit. Në Torino betohen se gjithçka që ata kanë bërë këta vjet ka qenë e rregullt, edhe pse mediat janë të bindura se e vërtetë është e kundërta. “La Gazeta delo Sport” shkruan se hetimet duhet të shkojnë deri në fund për të luftuar këtë sëmundje në Itali dhe në Europë. Pritet që edhe Federata të ndërhyjë për të ndaluar atë që mediat e quajnë “kostot zero”. Ndërkaq, Juventusi i Alegrit vendosi të përgjigjej në fushë. “Zonja e Vjetër” ia doli të fitonte 2-0 në fushën e Salernitanës duke shënuar me sulmuesit Paulo Dibala e Alvaro Morata. “Një fitore si oksigjen, – ishin komentet, – edhe pse Juvja shënoi më pak sesa Atalanta dhe Fiorentina”. Dibala humbi edhe një penallti, dhe tani iu bënë shumë, por për Alegrin ka rëndësi që skuadra e tij iu përgjigj rivalëve dhe mbeti sërish -7 pikë nga zona “Champions”. Shpresa vdes e fundit, dhe piemontezët do ta provojnë deri në fund”.

Sfidanti.al