Ivan Balliu sërish protagonist i “Disnejt” me emrin Rajo Vajekano

Skuadra modeste e rrethinave të Madridit nuk po e ndalon festën dhe La Liga spanjolle ka një mrekulli të vërtetë këtë sezon. Ivan Balliu, mbrojtësi i kombëtares shqiptare, ishte sërish pjesë e kësaj feste, ndërsa Rajo Vajekano fitoi 3-1 ndaj Majorkës dhe qendroi në zonën europiane. Balliu ishte për 90 minuta në fushë duke bërë pjesën e tij në suksesin e radhës, ndërsa Vajekano u tregua shumë efikase duke shënuar 3 gola me 5 gjuajtje në kuadrat. Sergi Guardiola, Alvaro Garsia dhe Oskar Tehome penallti ishin autorët e golave për vendasit, që mundën disa ndeshje më herët edhe Barcelonën. “Vajekano është parku i argëtimit në La Liga, – shkruan “Marka”, – është Disnej i vërtetë”. Rajo ka 23 pikë, në vendin e 6-të në renditje, dhe një pozicion më lart sesa skuadra katalanase e trajnerit Ksavi Hernandez. Balliu ka qenë gjithnjë titullar këtë sezon, përveçse kur ka pasur probleme me Kovidin apo ndonjë lëndim.

Sfidanti.al