Pas Golden Stejtit u dorëzua edhe skuadra tjetër që nuk kishte njohur humbjen në basketbollin amerikan. Juta Xhaz u thye në fushën e Çikago Bullsave me shifrat 99-107 duke pësuar humbjen e parë pas 4 fitoreve radhazi. Çikago kuptohet që nuk është aspak në nivelin e Epokës së Majkëll Xhordanit, por gjithsesi ka një formacion bazë tepër interesant. Derozan është një nga liderët, dhe këtë herë shënoi 32 pikë si dhe kapi 6 topa në tabela, ndërsa Zak Lavin nuk është më basketbollisti që lufton për çmime në konkurrimet e Ndeshjes së Yjeve. Ai realizoi 26 pikë, pati 5 topa në tabela e po 5 asistë. Lojtar-qendër nga Mali i Zi, Nikola Vuçeviç, është një fuqi e madhe ndërsa shënoi 16 pikë e kapi 12 topa në tabela, por këtu duhet shtuar ish-ylli i Lejkërsave, Lonzo Ball (11 pikë, 5 topa në tabela, 4 vjedhje topi). Juta Xhazi nuk arriti ta përballonte deri në fund ritmin e vendasve dhe pranoi humbjen 99-107 edhe pse Donovan Miçëll shënoi 30 pikë, pati 7 topa në tabela e 6 asistë, ndërsa Rudi Gober shtoi 17 pikë e 19 topa në tabela. Bojan Bogdanoviç pati 14 pikë dhe 9 topa në tabela, e rezerva Klarkson kontribuoi me 16 pikë.
Sfidanti.al