“Mbretëresha” 18-vjeçare Radukanu zbret me këmbë në tokë nga numri 100 i botës!

Kur triumfoi në US Open u mendua se që në adoleshencë lindi një kampione e re. Ema Radukanu vazhdon të jetë e tillë, pasi nuk është rastësi të fitosh një Grand Slem në moshën e saj, por gjithsesi, për të pasur vazhdimësi nuk është e lehtë. Mungesa e përvojës, dhe tani edhe e trajnerit, si dhe fluturimi “mbi re” për shkak të suksesit amerikan, duket se ia ulën vullnetin për punë britanikes 18-vjeçare e cila provoi sesa i ashpër mund të jetë realiteti kur nuk je e përgatitur. Radukanu u mund fare lehtë nga numri 100 i botës, bjellorusja Aliaksandra Sasnoviç, e cila fitoi 6-2, 6-4 me sete në raundin e parë të turneut Indian Uells. Vetëm një e katërta e vendeve në stadiumin e madh ishin plot, gjë që e bëri edhe më të ftohtë pasditen e tetorit, ndërsa Radukanu u duk e ngadalshme dhe apatike. “Mos harroni se unë jam vetëm 18 vjeç, – tha më pas ajo, – unë nuk kam shumë përvojë me ndeshjet e mbrëmjes, dhe jam shumë e re në këtë turne. Mendoj se përvojën do ta fitoj vetëm me kalimin e kohës”.

Sfidanti.al