Kur u këndua himni i Shteteve të Bashkuara, askush nuk arrinte ta mendonte se çfarë do të ndodhte në këtë finale. Ishte ndeshja më e madhe e futbollit amerikan, e mbiquajtur Superboul, mes Nju Inglënd Patriotsit dhe Atlanta Falksonsit. Rezultoi në përmbysjen më të madhe në histori. Disa prej njerëzve më të fuqishëm fizikisht të planetit u përplasën në Arenën e Hjustonit në Teksas. Më shumë se 70 000 spektatorë, mes të cilëve edhe ish-presidenti Xhorxh Bush i vjetri, dukshëm shumë i vjetër, ndoqën ndeshjen fundore me emocionuese në të gjitha kohët.
Titulli, që amerikanët me një lloj mendjemadhësie e quajnë botëror, u duk sikur do t’i takonte Atlantës. Fituesja e Ligës Kombëtare të Futbollit pati epërsi dhe u shkëput ndjeshëm. Në pjesën e tretë, avantazhi arriti në 28-3, diçka e padëgjuar më parë, veçse finalja nuk kishte marrë fund. Patriots, fitues i Konferencës Kombëtare të Futbollit, nuk pranuan të dorëzoheshin. Ata u udhëhoqën nga Tom Bredi, dhe realizuan një reagim për rekord. Skuadra nga Bostoni barazoi rezultatin në 28-28, dhe e çoi ndeshjen në kohën shtesë.
Edhe kjo ndodhi për herë të parë. Me moralin e lartë të përmbysjes, Nju Inglënd shënoi edhe 6 pikë të tjera dhe u shpall kampione e futbollit amerikan. Tom Bredi u vlerësua si lojtari më i mirë i finales për herë të katërt në karrierë, ndërsa skuadra nga Amerika e Vjetër fitoi titullin e pestë.
Më shumë se 100 milionë njerëz në të gjithë botën ndoqën spektaklin në Hjuston, i cili si zakonisht pati një yll muzike që dha shfaqje në pushim të ndeshjes. Këtë herë, e përzgjedhura ishte Ledi Gaga. Këngëtarja 30-vjeçare zbriti nga çatia e stadiumit “NRG”, në një qiell që ishte i zbukuruar nga yje artificialë, realizuar me anë të dronëve. Ajo zgjodhi të këndonte “Kjo Tokë është e Juaja”, që sipas analistëve ishte një kritikë për administratën e presidentit Tramp.