Sa njerëzorë yjet e Arsenalit me Ozilin: Po largohet një djalë shumë i mirë!

Faji i tij i vetëm ndoshta ishte që nuk kishte ndonjë dëshirë të madhe për të luajtur futboll deri në sakrificë. Mesut Ozil, me gjasë, mund të ketë qenë i ngopur nga sporti profesionist në nivelet më të larta pas periudhës së shkëlqyer tek Reali i Madridit, dhe më pas të tillë tek Arsenali, por kjo nuk do të thotë se ai duhet shumëzuar me zero. Ndërsa tifozët e kritikojnë dhe e mallkojnë (për ta vlen vetëm suksesi i skuadrës), disa nga lojtarët kryesorë të londinezëve i kanë dalë në krah. Fillimisht, Shkodran Mustafi dhe tani edhe Pjer-Emerik Obamejangu. “Vëlla, nuk ka nevojë t’u them njerëzve sesa i mirë je, – shkruajti ai në rrjetet sociale, – ti ke një zemër të madhe dhe i ndihmon njerëzit pa kursim”. Tifozët iu vërsulën Mustafit duke shkruar se “mos ke ndonjë problem që e mbron Ozilin”, por nuk besohet ta bëjnë për Obamejangun. E vërtetë që Ozili e kërkoi deri në fund rrogën e tij tepër të madhe prej 350 000 paundësh stërlina në javë dhe nuk dha atë që pritej në shkëmbim, por tek e fundit ato ishin para të firmosura në kontratë dhe nëse nuk do t’i kishte marrë, mund t’i kishte përdorur ndonjë aksioner i klubit për të luajtur në bursë.

Sfidanti.al