Një kënaqësi për Mesin, është “mbreti” i goditjeve të dënimit

Që nga nisja e sezonit 2015-2016 askush nuk i gjuan goditjet e dënimit më mirë sesa ai. Lionel Mesi ka gjithmonë për çfarë të gëzohet dhe të ndihet krenar, edhe kur nuk fiton Topin e Artë apo Çmimin e FIFA-s për Lojtarin e Vitit. Statistikat tregojnë se ylli argjentinas është i pakapshëm kur vjen puna për goditjet standarde, duke shënuar me saktësi të habitshme. Janë 12 goditje të tilla të cilat janë kthyer në gol me një aftësi të rrallë për ta dërguar topin në cepin e portës.

E majta e tij magjike mund të krahasohet vetëm me atë që kishte Diego Armando Maradona. Mesi ka një stil të tijin të veçantë, me mënyrën sesi koordinohet dhe sesi e gjuan topin, një teknikë që mësohet nga stërvitja, por është edhe e lindur. Specialistët u kujtuan për statistikat pas goditjes së dënimit që e ktheu në gol në fushën e Vijarrealit, duke shmangur humbjen për Barcelonën. Më herët, ai u shpall edhe lojtari organizator më i mirë i kampionatit spanjoll, një vlerësim i madh për një lojtar që po ashtu shënoi gola më shumë se gjithë të tjerët në botë gjatë 2016-ës.

Sfidanti.al