Familja sportive Korda, një pinjol 20-vjeçar synon “kokën” e Nadalit!

Origjina e tyre është nga Çekia, dhe djaloshi me emrin “Seb” ka edhe një qen të emërtuar si spanjolli, pra “Rafa”. Sebastian Korda, djali i ish-kampionit të tenisit Petr Korda, dhe vëllai i dy kampioneve të golfit, Nelli dhe Xhesika, do të ndeshet me Nadalin në turin e katërt të Rolan Garosit, pra në të tetat e finaleve, dhe do të ketë përballë një nga idhujt e tij. Jo më kot, pra, i ka vënë emrin qenit “Rafa”, ndërsa në Grand Slemin parizien kaloi tre raunde, si dhe dy raunde në fazën kualifikuese. Aspak keq për një 20-vjeçar që ende nuk ka fituar ndonjë titull në karrierë.

Gjithsesi, gjenetikisht ai i përket familjes Korda, dhe babai Petr ka qenë numri 2 i botës në tenis dhe ka fituar Australian Openin. Motrat e tij, Xhesika 27 vjeç dhe Nelli 22 vjeç shkëlqejnë në golf, dhe kjo e fundit është numri 2 në botë. Edhe mamaja e Sebit, Regina Rajhrtova ishte një nga 30 lojtaret më të mira të tenisit në kohën e saj. Të shohim nëse kjo trashëgimi gjenetike do ta ndihmojë Sebin ndaj Nadalit, 12 herë kampion në Rolan Garos.

Sfidanti.al