Tirana dorëzohet në Zvicër, por del nga Europa me kokën lart!

Nuk qe e mundur të ëndërrohej më tej, apo më mirë të realizohej ëndrra. Ishte tepër shpejt për diçka të tillë. Tirana u mund 0-3 në fushën e Jang Bojsit në Zvicër pa mundur të shkonte në fazën e grupeve të Ligës së Europës, por gjithsesi mund të thuhet se u largua nga kontinenti me kokën lart. Nëse dëshironte t’i përngjante Skënderbeut, le të kujtojë se korçarët u mundën disa herë, herë nga qipriotët, nga bjellorusët apo nga ndonjë tjetër që nga viti 2011, për t’ia dalë në 2015. Nëse tek Tirana do të ketë durim, e mira do të vijë, por do kohën e vet.

Për më tepër, kampionia e Shqipërisë luajti vetëm me tri ndeshje “në brez”, pra me shumë pak përgatitje. Zviceranët jo se kanë bërë “namin”, por gjithsesi përveç dy ndeshjeve në Europë, luajtën edhe 2 në kampionat, plus edhe finalen e Superkupës ndaj Bazelit. Të gjitha këto në periudhën e fundit, kur tiranasit e trajnerit Egbo nuk luajtën dot zyrtarisht. Fashnaht shënoi golin e parë për vendasit në 42’, pastaj Nsame dyfishoi shifrat në të 54-ën, dhe po Nsame vulosi rezultatin 3-0 në 64’. Në 66’ Tirana mbeti me 10 lojtarë sepse Torasa mori të verdhin e dytë, pra të kuqin, por asgjë nuk ndryshoi.

Sfidanti.al