Çfarë bote “jallane”, tifozët e Torontos zemërthyer me Leonardin

Ka shumë shprehje të urta popullore për të shpjeguar sesa të papritura dhe përmbysje ka në këtë botë, në këtë “dynja jallane”. Që nga “ndrysesh piperkë, e gdhin patëllxhane”, tek simbolika e “Kalit të Trojës”, gjithçka lidhet me atë që perceptohet si tradhëti. Historia më e fundit tronditëse, ajo e Koui Leonardit, kampionit “sefte” të NBA-së, që nuk do të vazhdojë tek Toronto.

Fillimisht, u dha lajmi se Leonardi do të luante me 99.99 për qind me Toronton, madje ylli i basketbollit u bë lajm i madh në televizionet kanadeze, që transmetuan direkt kthimin e tij me avion në qytet. Por, ja që spektakli i mbërritjes së “Mesisë” paska qenë i rrejshëm. Lajmi i fundit është që lojtari më i mirë i finaleve do të luajë në Los Anxhelos.

Jo tek Lejkërsat, për të cilët gjithashtu u fol shumë, porse te Klipersat. Një rrogë prej 142 milionë dollarësh amerikanë për 4 vjet, që thuhet se është maksimumi i mundshëm. Nga treshja e ëndërruar Lebron-Entoni Dejvis-Leonard, ky i fundit u bë rival në derbi me dy të parët.

Sfidanti.al