Besimtari Egbo duhet ta dijë se në Shqipëri ka edhe “Zota” të tjerë!

Nëse ka gjë më të turpshme që mund të bësh në Shqipëri, është që të akuzohet nga krerët e klubeve për lojtarët apo trajnerët se mund të trukojnë ndeshjet. Ata që e dinë sesi shkojnë punët në futbollin tonë, nuk kanë dyshim se nëse këtu ka trukime, kjo nuk mund të jetë ndryshe përveçse nga “maja e piramirës”, sesa nga “baza” e saj. Thuhet se një dekadë më parë, një lojtar u mor peng nga “të fortët” se ishte përpjekur të vepronte “në kokë të vet” në një ndeshje të kupave të Europës.

Sot, u hodhën dyshime nga të katër anët mbi lojtarët e Tiranës dhe trajnerin Emanuel Egbo. Presidenti Halili deklaroi se nuk i besonte asaj që po shikonte, dhe se rotacioni në skuadër ishte i gabuar. Një akuzë për Egbonë, siç e bëri edhe pas ndeshjes me Skënderbeun, barazuar 1-1. Rotacioni i Egbosë ishte që në formacion ishin vendosur Edon Hasani, Karabeci dhe djali i presidentit Grent Halili, ndërsa pjesa tjetër ishte ajo që kishte qenë.

A mund të ketë qenë e trukuar ndeshja e Ballshit, për Kupë? Në rrjetet sociale u publikuan koeficientët e kompanive të basteve, që ishin krejt të pazakonshme, duke hedhur hije të mëdha dyshimi mbi atë që ndodhi në Bylis-Tirana. Gjithsesi, të vetmit ata që kanë të drejtë të akuzojnë janë vetëm tifozët, pjesa më e persekutuar e futbollit shqiptar, që shpesh herë ka qenë e detyruar të “kapërdijë” estrada, ndërsa organet kompetente, që nga Federata, e deri te prokuroria, ndoshta më shumë e kanë pasur mendjen tek skedinat sesa tek puna e tyre.

Emanuel Egboja ka shumë përvojë në Shqipëri, pasi ka gati 20 vjet këtu. Përveçse që në vendin tonë ka racizëm (si kudo në botë), ka edhe lokalizëm dhe trajneri nigerian është për turp të quhet “çun Tirone”, ka edhe histori të tjera. Egbo njihet si fetar i sinqertë, por ndoshta ka “Zota” të tjerë në futbollin tonë, që kanë “fe” tjetër nga ajo e trajnerit të Tiranës.

Sfidanti.al