Italia e bën edhe më të madh Bufonin, autograf në ndeshje e sipër

Xhanluixhi Bufon ra në sy të mediave jo vetëm për faktin se nuk pësoi asnjë gol në Lihtenshtajn. Për atë që është ende një nga portierët më të mirë të botës, kjo nuk mund të quhet diçka kaq e veçantë. Sidoqoftë, ishte thuajse e pazakontë ajo që ndodhi ndërsa ende luhej në fushë. Një tifoz kaloi rrethimin dhe ia doli të hynte në fushën e lojës e të drejtohej për tek portieri i Italisë. Ai i kërkoi Bufonit një autograf. Xhixhi nuk është se u shqetësuar shumë. Ndërsa Italia po dominonte ndeshjen, numri 1 pati kohë që të firmoste autografin e kërkuar në fanelën e veshur nga tifozi.
Mediat europiane shkruan me shaka, se Bufon gjithsesi shpreson që kjo të mos bëhet një rregullsi, pasi në të ardhmen Italia do të ketë ndeshje më të vështira sesa kjo në fushën e Lihtenshtajnit, që përfundoi 4-0 me golat e Belotit (2), Imobiles dhe Kandrevës. Përballja e radhës e Italisë është ndaj Shqipërisë, veçse Bufon mund të nënshkruajë sërish autografe nëse shqiptarët luajnë si ndaj Izraelit në Elbasan.
B. Kuka