Kislingu jubilar, sulmuesi i Leverkusenit 400 herë në Bundesligë

Në minutën e 88-të, trajneri i Leverkusenit Hajko Herrlih, bëri një zëvendësim të fundit në stadiumin e Volfsburgut. Skuadra e tij po fitonte 2-1 dhe ish-sulmuesi i Gladbahut donte të fitonte kohë, por edhe të jepte një kënaqësi. Veterani Shtefan Kisling hyri në fushën e lojës në vend të Julian Baumgartlingerit, duke mbushur një shifër jubilare.

Sulmuesi 34-vjeçar arriti në 400 ndeshje në Bundesligë dhe u ndje krenar, duke u përqafuar me trajnerin e tij dhe duke bërë foton jubilare me shokët e skuadrës, në aeroplan gjatë kthimit nga Volfsburgu. Kisling nuk ka qenë kurrë “numri 1 i Bundesligës”, por ka qenë gjithnjë një lojtar tepër i respektuar. Në 400 ndeshje për Nyrembergun e Leverkusenin shënoi 144 gola dhe besohet se mund të vazhdojë të luajë edhe një vit tjetër.

Kisling luajti 6 herë për Gjermaninë, duke mos shënuar asnjë gol, por gjithsesi mbetet krenaria që veshi fanelën e kombëtares.

Sfidanti.al