Bajernin e duan edhe në Kupë, 6 milionë përpara televizorit!

Në çdo vend të botës do të quhej një ndeshje “e rëndomtë”. Bajerni luante në të gjashtëmbëdhjetat e finaleve të Kupës së Gjermanisë ndaj Augsburgut, në një përballje mes dy ekipeve me diferencë të madhe, aq më tepër në fushën e më të fortit. Kjo nuk i ka gënjyer dashamirësit e futbollit në Gjermani, të cilët në shumicë kanë marrë telekomandën e televizorit dhe kanë gjetur kanalin e ARD-së.

Ishin 6.33 milionë njerëz që e ndoqën përballjen që përfundoi 3-1 për bavarezët e Karlo Ançelotit, që do të thotë 20.9 për qind e gjithë teleshikuesve të mbrëmjes së të mërkurës. Jo vetëm që Bajerni ka tifozë, dhe jo vetëm që gjermanët e ndjekin futbollin, por është edhe formati i kupës, me një ndeshje të vetme që shton emocionet dhe rrit shikueshmërinë.

Në fund të fundit, atyre 6 milionëve që e ndoqën, ndeshja nuk u doli zhgënjim. Kampionët fituan 3-1, por përballja ishte e hapur deri në minutën e fundit kur Alaba shënoi golin e tretë të vendavve. Filip Lahm realizoi pa kaluar 100 sekonda, i riu Grin po ashtu, ndërsa dypenallti të humbura e bënë edhe më interesant duelin në “Alianc Arena”.