Stafi i Tyson Fury-t po shpreh shqetësim për fatin e duelit të shumëpritur me Anthony Joshua-n, teksa negociatat për finalizimin e përballjes vazhdojnë pa një datë dhe vend të përcaktuar. Menaxheri i Fury-t, Spencer Brown, ka pranuar se vonesat e vazhdueshme kanë krijuar dyshime nëse kjo përballje do të zhvillohet realisht. Sipas tij, situata është bërë shqetësuese, pasi deri tani nuk është bërë përparimi i pritur në negociata.
“Besoj se të gjithë kanë disa dyshime. Nëse do të më pyesnit një javë më parë, do të thosha se nuk ka arsye për shqetësim, por tani fakti që gjërat nuk kanë avancuar është shqetësues. Duhet ta zhvillojmë këtë duel”, deklaroi Brown. Madison Square Garden në Nju Jork mbetet një nga opsionet kryesore për organizimin e sfidës, ndërsa Joshua ka insistuar që përballja të zhvillohet në Britani. Stafi i Fury-t kishte shpresuar për një duel në stadiumin Wembley, por Brown pranon se kjo mundësi po zbehet gjithnjë e më shumë.
Menaxheri britanik paralajmëroi gjithashtu se zvarritja e negociatave mund të ndikojë negativisht edhe te interesi i tifozëve. “Duhet të merret një vendim. Le ta zhvillojmë duelin kudo, qoftë në Timbuktu apo në Wembley. Ne thjesht duam ta shpallim. Njerëzit po mërziten”, tha Brown. Për momentin, tifozët e boksit mbeten në pritje të konfirmimit zyrtar të një prej përballjeve më të shumëpritura të peshave të rënda.

