Nuk është anglez, por është britanik dhe është nga ata që vlerëson harmoninë në ishujt e Mbretërisë së Bashkuar. Sër Xheki Stjuart, legjenda skoceze e Formula 1, duket pak si tifoz i Ljuis Hamiltonit kur komenton aksidentin mes tij dhe Maks Verstapenit në pistën e Monzës në Çmimin e Madh të Italisë. “Verstapeni po kërkon më shumë kohë për t’u rritur sesa normalisht, – theksoi skocezi, – nuk po flas vetëm për aksidentin, por për sjelljen e tij. Hamiltonit iu rrezikua jeta dhe ai nuk shkoi as të shikonte sesi ishte kolegu i tij, diçka që unë nuk arrij ta kuptoj. Sidomos, pasi Hamiltoni mbeti për një kohë të gjatë në makinë, pa dalë prej saj, pra mund t’i kishte ndodhur diçka”. Stjuarti vlerëson talentin e holandezit të Red Bullit duke thënë se “ai është vërtet shumë i mirë, ndoshta është piloti më i shpejtë i momentit, por kjo nuk mjafton për të qenë një pilot i madh”. Gjithsesi, edhe Hamiltoni ka qenë i famshëm për aksidentet që shkaktonte kur ishte më i ri.
Sfidanti.al