Roland Garros, Andreeva në finale, sfidon zbulimin Chwalinska

Gjithçka e lehtë në gjysmëfinalen e turneut francez për tenisten ruse. Tani luan titullin ndaj polakes që eliminoi pas dy setesh Shnaider. Mirra Andreeva arrin pa probleme finalen e Roland Garros 2026. Në gjysmëfinale 19-vjeçarja ruse mundi ukrainasen Marta Kostyuk, duke mos e vënë asnjëherë në diskutim kualifikimin. Tani luan ndeshjen më të rëndësishme të karrierës kundër zbulimit të turneut, polakes Maja Chwalinska. Kjo e fundit vjen nga kualifikueset dhe ka një seri të pabesueshme fitoresh. Në gjysmëfinale eliminoi edhe ajo pas dy setesh rusen Diana Shnaider.

Kjo është finalja e parë në karrierë në një turne Slam për Mirra Andreeva. Ajo nuk i dha asnjë shans ukrainases Marta Kostyuk, e cila vinte në këtë sfidë e pamposhtur në këtë sezon, pas titujve të fituar në WTA 250 të Rouen dhe WTA 1000 të Madrid. Tenistja nga Kievi bëri shumë gabime dhe u dorëzua pas një ore e 16 minutash lojë, 6-1, 6-3.

Finalistja tjetër e Roland Garros është polakja Maja Chwalinska, e cila në mbrëmje eliminoi rusen Diana Shnaider. Tenistja 24-vjeçare regjistroi fitoren e 9-të radhazi në turneun francez dhe luan finalen e parë të karrierës në një Slam. Shnaider, që vinte pas triumfit në gjysmëfinale ndaj numrit 1 në botë, Aryna Sabalenka, u dorëzua pas 2 orësh e 10 minuta, me rezultatin 7-6, 6-4. Në tie-break-un e setit të parë ajo nuk mundi të konkretizonte avantazhin 2-4.

Chwalinska, pavarësisht si del finalja, do të ngjitet në vend të 21-të të renditjes botërore falë një kërcimi të jashtëzakonshëm, +93. Ajo do të përpiqet të bëjë atë që bëri në 2021-shin, në US Open, Emma Raducanu, e vetmja lojtare në histori që fitoi një turne Slam duke e nisur nga kualifikueset.