Veprimtaria mbarëkombëtare e basketbollit midis skuadrave të Kosovës dhe Shqipërisë, Liga Unike, do të vazhdojë edhe këtë edicion, por do të nisë vitin tjetër me një ndryshim. Kështu, kanë marrë vendim Federata Shqiptare e Basketbollit (FSHB) dhe Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), pas një takimi të përbashkët që kanë zhvilluar të enjten në Prishtinë. Takimi është përqendruar kryesisht tek vazhdimin e projektit të Ligës Unike, i cili nisi vite më parë dhe u proklamua me bujë të madhe nga të dyja palët. Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Ligës Unike, bëhet e ditur se edicioni 2023-2024 do të nisë vitin e ardhshëm dhe si për femra, ashtu edhe për meshkuj, por me një ndryshim të vogël.
Kështu, Liga Unike tek femrat do të zhvillohet në formatin e rregullt, ajo e meshkujve do të jetë në formë të turneut të “4-shes Finale”. Edicioni i ri për femrat do të nisë në muajin janar dhe do të mbyllet në fund të muajit mars me “4-shen Finale”, që do të organizohet në Kosovë. Edhe këtë edicion te femrat, do të marrin pjesë 3 ekipet më të mira nga Shqipëria dhe nga Kosova, duke u mbështetur në renditjen e edicionit të kaluar. Në dy edicionet e mëparshme, Ligën Unike te femrat e kanë fituar Prishtina dhe Flamurtari.
Ndërkohë, te meshkujt, turneu i “4-shes Finale” do të mbahet në fund të muajit mars në Kosovë dhe do të përfshihen 4 skuadrat më të mira nga Kosova dhe Shqipëria. Edicioni i kaluar i Ligës Unike te meshkujt, u ndërpre pas javëve të para, për shkak të refuzimit të ekipeve nga Shqipëria që të marrin pjesë në këtë garë.