Lakers nderojnë Phil Jackson, legjenda e NBA-së do të ketë statujën e tij

Los Angeles Lakers do të nderojnë një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e NBA-së. Phil Jackson do të ketë statujën e tij pranë legjendave të klubit, ndërsa ceremonia e inaugurimit do të zhvillohet më 9 prill 2027, përpara ndeshjes së Lakers ndaj Minnesota Timberwolves. Statuja do të realizohet nga skulptori Omri Amrany, i studios Rotblatt Amrany, ndërsa Jackson do t’i bashkohet një liste të jashtëzakonshme figurash të Lakers që janë përjetësuar me statuja, mes tyre Jerry West, Magic Johnson, Kobe Bryant, Shaquille O’Neal, Elgin Baylor, Pat Riley, Chick Hearn dhe Kareem Abdul-Jabbar.

Kobe Bryant është nderuar me dy statuja. Jackson drejtoi Lakers për 11 sezone, të ndara në dy periudha, nga viti 1999 deri më 2004 dhe nga 2005 deri më 2011. Në Los Angeles ai fitoi pesë tituj të NBA-së, duke e çuar në 11 numrin total të kampionateve të fituara si trajner. Tre prej këtyre titujve erdhën me Kobe Bryant dhe Shaquille O’Neal si liderë të skuadrës, ndërsa dy të tjerë me Bryant dhe Pau Gasol në qendër të projektit. “Phil Jackson është sinonim i basketbollit fitues për një arsye të mirë. Qasja e tij mjeshtërore si trajner nxori më të mirën nga disa prej lojtarëve më të mëdhenj që kanë luajtur ndonjëherë këtë sport”, deklaroi Jeanie Buss. Ajo vlerësoi gjithashtu kreativitetin dhe përkushtimin e Jackson, duke theksuar se ai riktheu trashëgiminë e Lakers si skuadër kampionësh, duke sjellë pesë tituj dhe duke vendosur një standard të ri ekselence për brezat e ardhshëm. Me këtë nderim, Phil Jackson do të zërë një vend të përhershëm mes figurave më të mëdha të historisë së Los Angeles Lakers.