Kthim triumfal i Federerit në Zvicër, legjendë si Serena, Graf e Kourt!

Në tenisin e meshkujve nuk ka asnjë si ai. Rozher Federer u kthye në Zvicrën e tij si kampioni i padiskutueshëm i këtij sporti për gjininë e tij. Me 20 tituj Grand Slem, ai lë prapa Rafael Nadalin që ka 16, Pit Samprasin me 14, dhe pastaj Roi Emersonin e Novak Gjokoviçin me nga 12. Me 20 tituj të Çmimit të Madh, zvicerani u barazua me legjendat e femrave si Margaret Kourt, Stefi Graf apo Serena Uilliams.

Në moshën 36-vjeçare, ai nuk ka ndërmend të tërhiqet, dhe jo vetëm po mendon për Rolan Garosin, Uimbëlldonin apo US Openin, por edhe për të mbrojtur titullin në Australian Open në janar 2019. Federer është një nga të paktët tenistë meshkuj që ka mundur të fitojë të 4 Grand Slemet. Ai ka 6 Australian Open (bashkërekord), 8 Uimbëlldon (rekord), 5 US Open dhe 1 Rolan Garos. Gjithsej janë 8 tenistë që i kanë fituar të katër, pra Federer, Nadal, Emerson, Gjokoviç, Lejvër, Perri, Agasi dhe amerikani Baxh (Budge).

Tifozët ishin të shumtë në aeroportin “Kloten” të Zyrihut, ndërsa Rozher mbërriti me trofeun e shkëlqyer në duar. Ai u përshëndet nga tifozët dhe shpenzoi shumë kohë për të nënshkruar autografët. Federer fitoi finalen në Melburn, me shifrat 3-2 me sete ndaj kroatit, Marin Çiliç.

Sfidanti.al