Max Verstapen është rikthyer në qendër të vëmendjes, duke ndezur merkaton e pilotëve në Formula 1. Pasi praktikisht u tha “lamtumirë” shpresave për titullin, duke dalë me zero pikë nga Austria, tashmë piloti holandez është pranë largimit nga Red Bulli. Sipas “Sky Sport Italia”, katër herë kampioni i botës është i gatshëm të ndërpresë kontratën e tij me Red Bullin, pasi i ka thënë “po” Mercedesit për të zënë vendin e George Rusell, duke filluar nga viti 2026. Verstapen ka qenë prej kohësh ëndrra e Toto Wolf, ndërsa Mercedesi humbi mundësinë për të nënshkruar me holandezin kur ai ishte ende adoleshent, pasi Red Bulli u tregua më i shkathët.
Një transferim i munguar që ende duket se ka mbetur peng për Mercedesit, por që tashmë është gati për të “përqafuar” pilotin. Red Bull i vitit 2025 nuk është në të njëjtin nivel me makinat me të cilat Verstapen u bë legjendë e F1, duke fituar katër tituj radhazi. Max po bën gjithçka që është e mundur për të ruajtur shanset e tij, por McLaren është në një tjetër nivel, madje edhe Ferrari me Mercedesin kanë një makinë superiore ndaj austriakëve në pista të caktuara.
Toto Wolf nuk e ka fshehur kurrë interesin e tij për holandezin, dhe kjo nxit më tej dyshimet për të ardhmen e Max. Për më tepër, ndryshimi i famshëm i rregullores do të zbatohet në vitin 2026, dhe zërat janë përhapur se Mercedesi është prodhuesi më i përparuar në zhvillimin e motorëve të rinj për epokën e re të Formulës 1. Një arsye tjetër bindëse për Verstapen që të mendojë seriozisht për të bërë gati valixhet. Nëse Verstapen do të bashkohej me Mercedesin, ai që nuk ka vend në skuadër është George Rusell. Andrea Kimi Antoneli ka një kontratë, ndërsa britanikut skadon në fund të këtij viti dhe procesi i rinovimit është zvarritur më shumë se sa pritej fillimisht. Sipas “Sky Sport” negociatat mes Verstapenit dhe Mercedesit janë në fazë të avancuar, me pilotin holandez që tashmë është gati t’i bashkohet ekipit të ri, duke nisur që nga sezoni i ardhshëm. Verstapen do të formojë dyshen me Andrea Kimi Antonelin. Nga ana tjetër Max ka një kontratë deri në fund të vitit 2028 me Red Bullin, por ka një klauzolë që mund të largohet nëse nuk mbyll një sezon jashtë tre vendeve të para. Aktualisht Verstapen është në vend të tretë, me 9 pikë avantazh nga Rusell.
Megjithatë, më shumë se klauzola, në këtë lëvizje është i rëndësishëm vullneti i pilotit, që do të bëjë edhe diferencën. Në rast se ky supertransferim do të finalizohet me sukses, mbetet për t’u parë e ardhmja e Rusell, të cilit i përfundon kontrata në fund të vitit.
sfidanti.al