Fetel përmbys Botërorin në Kanada, fiton dhe del i pari

Është Sebastian Fetel kryesuesi i ri i Botërorit të Formula 1. Piloti gjerman i Ferrarit fitoi në mënyrën një mijë për qind të merituar Çmimin e Madh të Kanadasë dhe parakaloi Ljuis Hamiltonin në renditje. Fetel tani ka 121 pikë ndaj 120 të kampionit të botës në fuqi, që përfundoi vetëm në vend të pestë në pistën e Montrealit.

Fundjava e Fetelit ishte e shkëlqyer, në të kundërt me atë të Hamiltonit që doli i katërti në provat zyrtare, dhe humbi edhe një pozicion gjatë garës. Mercedesi nuk është më ajo makina dominuese, që tallej me rivalët Ferrari e Red Bull, ndërsa gara për titull dikur ishte mes pilotëve të ekipit gjerman, si Rosberg e Hamilton.

Nderin e Mercedesit e ruajti Valteri Botas, por aq sa mundi, duke mos pasur klasin e Fetelit apo Hamiltonit. Finlandezi doli i dyti me rreth 5-6 sekonda prapa ferraristit. Ferrari theu tersin e madh të Kanadasë, ku kishte 17 vjet pa fituar pole positionin dhe 14 vjet pa fituar garën. Mos vallë, kjo do të thotë se do t’ia dalë të fitojë më në fund edhe titullin botëror?

Sfidanti.al