Federeri më i zoti se Serena, por do të paguajë 4 orë ndeshje!

Legjenda amerikane duket se nuk do ta arrijë dot Margaret Kourtin, që ka 24 Grand Sleme në karrierë. Serena Uilliams mbetet me 23, dhe në moshën 38-vjeçare vështirë se mund të ketë forcë fizike për të provur një tjetër, pra për të barazuar rekordin botëror. Serena u mposht nga kinezja Uan Çi Jan. Bashkë me të, u eleminua edhe Karolinë Voznjacki që mbylli karrierën dhe kampionia në fuqi në Melburn, Naomi Osaka, e mundur nga amerikania 15-vjeçare Koko Gauf. Në të kundërt, Rozher Federer, që ka ndryshim moshe vetëm 49 ditë me të, ia doli të mbijetonte një ndeshjeje që u duk si humbje e sigurt.

Ndaj beniaminit vendas, Xhon Milman, zvicerani triumfoi 3-2 me sete, por mund të vuajë në vazhdimësi 4 orë e 3 minuta lojës, në sallën qendrore të Australian Openit në Melburn. Setet ishin 6-4, 6-7, 4-6, 6-4, 7-6 në “Rod Lejvër Arena”. Federe ka 20 Grand Sleme dhe dëshiron të fitojë edhe një tjetër të paktën, si dhe të mos lejojë rivalët Rafael Nadal e Novak Gjokoviç që ta mbërrijnë e ta kalojnë. “Ishte e vështirë, për Zotin, – tha ai, – Xhoni luajti një ndeshje të madhe, ai është një luftëtar i madh. Isha gjatë gjithë kohës me shpatulla pas muri”.

Sfidanti.al