Dubois-Usyk, më 19 korrik në “Wembley”

Anglezi Daniel Dubois dhe ukrainasi Oleksandr Usyk do të përballen më 19 korrik në stadiumin “Wembley” të Londrës për titullin kampion absolut të botës në peshën e rëndë, njoftoi BBC. Kjo do të jetë përballja e dytë mes tyre, ku 27-vjeçari britanik do të kërkojë hakmarrje pas humbjes ndaj 38-vjeçarit ukrainas në gusht të vitit 2023 në Wroclaw, Poloni. Lufta e parë përfundoi me ndërprerje në raundin e nëntë. Dubois aktualisht mban titullin kampion të botës në peshën e rëndë për versionin IBF, ndërsa Usyk zotëron tre tituj të tjerë (WBA, WBO dhe WBC).

Ukrainasi shkroi histori në maj të vitit 2024, kur mposhti Tyson Fury për t’u bërë kampioni i parë absolut i botës në peshat e rënda në “epokën me katër rripa”. Ai e mundi Fury edhe në dhjetor të vitit të kaluar, por duhej të heqë dorë nga titulli IBF para kësaj ndeshjeje. Pas kësaj, Daniel Dubois mori titullin IBF dhe e mbrojti atë kundër bashkatdhetarit të tij, Anthony Joshua, në shtator të vitit 2024.

Dubois duhej ta mbronte edhe një herë titullin kundër Joseph Parker, por një sëmundje e detyroi atë të tërhiqej nga përballja disa ditë para ndeshjes. “Kjo është ndeshja që kam kërkuar, dhe tani kam mundësinë për hakmarrje. Duhej ta kisha fituar luftën e parë, por vlerësimi i gjyqtarit më pengoi. Tani nuk do të përsëris gabimin para tifozëve të mi në Wembley”, deklaroi Dubois. Ai shtoi se tani është një luftëtar më i mirë dhe më i rrezikshëm dhe se Usyk do ta kuptojë këtë në ring. Nëse Dubois fiton, ai do të bëhet boksieri i parë britanik që do të bashkojë të gjithë titujt botërorë në peshën e rëndë në “epokën me katër rripa”. Britaniku i fundit që mbajti të tre titujt ishte Lennox Lewis, i cili i fitoi në vitin 1999 duke mundur Evander Holyfield në ndeshjen e dytë pas një barazimi në të parën.

sfidanti.al