Alcaraz mungon edhe në Madrid

Tenisi botëror merr një tjetër goditje të rëndësishme, pasi Carlos Alcaraz do të mungojë edhe në turneun e Madridit për shkak të një dëmtimi në kyçin e dorës së djathtë. Pas tërheqjes nga turneu i Barcelonës, numri 2 në botë konfirmoi vetë lajmin përmes rrjeteve sociale, duke shprehur keqardhjen e madhe për mungesën në një nga turnetë më të rëndësishëm për të.

“Ka lajme që është e vështirë t’i japësh. Madridi është shtëpia ime dhe një nga vendet më të veçanta për mua. Më dhemb shumë që nuk mund të luaj këtu për të dytin vit radhazi”, shkroi spanjolli, duke publikuar edhe një foto të dorës së dëmtuar. Ai theksoi se i vjen keq sidomos që nuk do të jetë para tifozëve të tij në një turne kaq special.