Luis Enrique shpërthen ndaj lojtarëve

Humbja 1-0 e Paris Saint-Germain ndaj Monaco-s në “Louis II” ka sjellë reagimin e ashpër të trajnerit Luis Enrique, i cili u shfaq i indinjuar si përpara mikrofonave të ‘beIN Sports’, ashtu edhe në konferencën për shtyp. Sipas tij, skuadra e tij nuk meritonte asgjë më shumë nga ndeshja: “Kur luan kështu, me kaq shumë gabime, është e pamundur të fitosh.

Duhet të pranojmë nivelin që treguam. Do të rikthehem të shoh ndeshjen, por me kaq gabime nuk mund të fitosh,” tha ai. PSG vuajti gjatë gjithë 90 minutave, duke mos gjetur dot zgjidhje për presionin agresiv të vendasve. Goli i Minamino-s në minutën e 70-të vulosi humbjen e dytë të kampionëve të Europës në kampionat këtë sezon, një rezultat që mund t’i kushtojë edhe kreun nëse Lens fiton ndaj Angers.

“Ata luajtën më mirë. Ka qenë ndeshja jonë më e dobët e sezonit. Do të ishte e thjeshtë të thoja që ekipi ishte i lodhur, por duhet të japim maksimumin çdo ditë,” u shpreh trajneri. Luis Enrique u pa i nervozuar dhe pa ide gjatë ndeshjes, ndërsa mediet franceze, veçanërisht ‘L’Équipe’, e kritikuan ashpër për formacionin dhe zëvendësimet e gabuara. Situata u tensionua edhe më shumë në minutën e 11-të, kur Camara i Monaco-s goditi rëndë Chevalier të PSG-së. Portieri vazhdoi të luante falë ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve, por Luis Enrique pranoi se kishte pasur shumë fat.

Tekniku spanjoll po përballet me mungesa të rëndësishme, pasi Hakimi, Doué dhe Nuno Mendes janë të dëmtuar. Kalendari i ngjeshur dhe mungesa e pushimit kanë ndikuar dukshëm në rënien e nivelit të ekipit në javët e fundit, gjë që e ka irrituar trajnerin, pavarësisht se PSG ende kryeson Ligue 1 dhe mban vendin e dytë në fazën e rregullt të Champions League.

sfidanti.al