Kristenseni me “këmbë prej ari”, fitoi 25 milionë në 5 vjet, luajti vetëm 23 ndeshje!

Ndoshta është një nga rastet për rekord “Ginis” (Guinness), besohet edhe më shumë sesa një Garet Bejl apo Eden Hazar tek Reali i Madridit. Andreas Kristensen sapo u “përshëndosh” me Çelsin dhe pritet të luajë për Barcelonën sezonin e ardhshëm, ndërsa statistikat e tij janë vërtet të jashtëzakonshme. Mbrojtësi danez, pjesë e kombëtares së vendit të tij, luajti vetëm 23 ndeshje në 5 vjet që qendroi në “Stemford Brixh”. Jo vetëm që shkalla e aktivizimit të tij ka qenë më pak sesa me “pikatore”, por rroga që ai ka fituar ka qenë në një nivel krejt shproporcional me kontributin sportiv. Kristesen ka marrë mbi 5 milionë euro në sezon, që do të thotë mbi 25 milionë euro në 5 vjet, duke luajtur kaq pak. Kjo të kujton një barcaletë shkodrane të para vitit 1990, kur dikush thotë për një aktor të Teatrit “Migjeni” se “ai i ka fjalët prej ari”. Kur bashkëbiseduesi e pyeti “kaq i zgjuar qenka?”, përgjigja ishte: “Jo, jo, nuk është shumë i zgjuar, por që kur ka filluar punë në teatër ka dalë vetëm dy herë në skenë dhe ka thënë “punoni shokë” dhe “mirëmëngjes shoku drejtor”. Për këto fjalë ka 10 vjet që merr rrogën”.

Sfidanti.al