Cristiano Ronaldo as këtë vit nuk do ta fitojë Saudi Pro League, në përpjekjen e tij të tretë që nga transferimi te Al Nassr në fillim të vitit 2023, por do të ketë mundësinë të provojë sërish në dy vitet e ardhshme me të njëjtën skuadër, pasi ka rinovuar kontratën me klubin nga Riadi për një shifër marramendëse: 400 milionë gjithsej, që do të thotë pak më shumë se gjysmë milioni në ditë. Ronaldo ka një familje të madhe, dhe tani që ka mbushur 40 vjeç (në shkurtin e kaluar), duhet të mendojë për pleqërinë – të lësh diçka mënjanë është gjë e mirë dhe e drejtë. Por koprac nuk është, përkundrazi, dhe këtë e dëshmon një episod i ndodhur disa vite më parë në Greqi, pas qëndrimit në një resort që e kishte lënë veçanërisht të lumtur për shërbimin e marrë.
Ishte viti 2018, një Ronaldo 33-vjeçar kishte organizuar një pushim super luksoz së bashku me rrethin e tij të ngushtë në resortin grek Costa Navarino, një pesë yje ëndrrash në Peloponez. Duhet të ketë qenë një qëndrim i mrekullueshëm, jo vetëm për bukurinë e plazheve dhe peizazhit, por edhe për mënyrën se si pesë herë fituesi i Topit të Artë ishte trajtuar nga stafi i hotelit.
Kampioni portugez, në momentin e largimit, vendosi të shpërblente në mënyrë të përshtatshme ata që e kishin bërë pushimin e tij kaq të paharrueshëm: ai la për stafin e resortit një bakshish të çmendur (për njerëzit e zakonshëm) prej gjithsej 20 mijë euro, duke shtuar vetëm një kërkesë. Që stafi që ishte kujdesur për të të ndante bakshishin në mënyrë të barabartë: “Dhjetë punonjësit e ngarkuar për t’i shërbyer familjes së Ronaldos dhe për t’i mbajtur larg paparacëve morën nga dy mijë euro secili”, kishin pohuar asokohe mediat greke.
Cristiano kishte shkuar në resortin Costa Navarino pas eliminimit të hershëm të Portugalisë nga Botërori i vitit 2018 (humbje me Uruguain në të tetat e finales) dhe kishte kaluar dhjetë ditë aty me familjen dhe miqtë. “Ishte një nder dhe një përvojë e mrekullueshme të kujdeseshim për Cristiano Ronaldon dhe familjen e tij – kishte shkruar atëkohë stafi i resortit – Një falënderim i madh për Cristianon që bëri pjesë të historisë sonë.” Dhe gjithashtu për bakshishin që la.
sfidanti.al