Artur Jorge lë telefonin hapur: gruaja e dëgjon me të dashurën

Në Brazil po bën shumë bujë çështja që ka përfshirë Artur Jorge, trajnerin portugez 53-vjeçar që sezonin e kaluar drejtoi në mënyrë triumfuese Botafogo në Rio de Janeiro (sot po shijon pagën e majme të Al-Rayyan në Katar): trajneri që arriti një dopietë të bujshme kampionat dhe Copa Libertadores u braktis nga gruaja e tij, bashkëkombësja Maria Marques, pas një martese që zgjati më shumë se 30 vjet. Gruaja nuk deshi të dinte më për të pasi dëgjoi me veshët e saj zërin e të dashurës së Jorge, Hanna Santos, për shkak të një pakujdesie të burrit, i cili nuk e mbylli siç duhet një telefonatë me të shoqen.

Media braziliane ‘Extra’ rrëfen në detaje ngjarjen dhe bën një paralelizëm mes asaj që ka ndodhur së fundmi në karrierën e ish-mbrojtësit të Braga (skuadra e jetës së tij në Portugali, që më pas e ka drejtuar gjithashtu) dhe ngjarjeve të tij personale. Pra, nuk ishte vetëm me Botafogon që Jorge përfundoi një marrëdhënie në fund të vitit 2024. Pak ditë para fundit të vitit, portugezi përfundoi gjithashtu martesën e gjatë me Marian, bashkëmoshatare e tij dhe nënë e tre fëmijëve të tyre. Dhe ashtu si në futboll, ku zgjidhja e kontratës u motivua nga një klub i ri që i vuri përpara një ofertë tjetër, pra katariotët e Al-Rayyan, ndarja nga gruaja u shkaktua nga një dashuri e re: 32-vjeçarja Hanna Santos, 21 vjet më e re se ai, mbesë e idhullit të Botafogos, Nilton Santos, dhe ish-punonjëse e klubit bardhezi.

Të dy u njohën pikërisht prapa skenave të Botafogo TV, kanali zyrtar i klubit të Rios, ku Hanna filloi të punonte si reportere dhe komentatore në mars të vitit të kaluar. Një rol që i mundësoi asaj të ishte vazhdimisht pranë skuadrës, përfshirë udhëtimet, çka e afroi gjithnjë e më shumë me trajnerin. Historia e dashurisë nisi pak para finales së Libertadores në fund të nëntorit, ndeshje që pa fitoren 3-1 të ‘Gloriosos’ kundër Atletico Mineiro. Marrëdhënia u bë gjithnjë e më e fortë pak më vonë, gjatë udhëtimit në Katar, ku skuadra nga Rio luajti një ndeshje të vlefshme për Kupën Interkontinentale, që për më tepër e humbi menjëherë ndaj Pachuca-s.

Trajneri nuk e mbyll siç duhet telefonin, gruaja e zbulon dhe e lë pas 30 vitesh

Aty, pa frikë se do të zbuloheshin, pasi Maria kishte mbetur në Rio, Artur Jorge dhe Hanna Santos nuk u fshehën më, duke ecur së bashku në qendër të Dohas në kohën e lirë dhe duke bërë gjithashtu foto. Marrëdhënia e tyre, e cila tashmë ishte nuhatur nga lojtarët dhe stafi i Botafogos, u zbulua megjithatë edhe nga gruaja, në mënyrën më brutale dhe të dhimbshme të mundshme. Trajneri nuk e mbylli siç duhet një telefonatë me Marian, e cila në atë moment dëgjoi fjalët e dashurisë që shkëmbenin Artur dhe Hanna.

Gruaja, e shkatërruar në mënyrë të kuptueshme nga tradhtia e burrit për të cilin besonte se do të qëndronte pranë saj gjithë jetën, e la. “Tradhtia nuk ka të bëjë me atë që ke bërë ose nuk ke bërë. Nuk ka të bëjë me pamjen tënde, sa shumë ke dashur apo dhënë. Tradhtia reflekton vetëm karakterin e atij që ka zgjedhur të mashtrojë, gënjejë dhe mos të respektojë. Ai që tradhton nuk e bën për mungesë dashurie ndaj tjetrit, por për mungesë vlerash ndaj vetes!” – ka shkruar gruaja në rrjetet sociale në fillim të këtij muaji.

sfidanti.al