Subotic: Kam shpenzuar 4 milionë euro për bamirësi

Ish-mbrojtësi i Borussia Dortmundit, Neven Subotic, ka bërë një rrëfim të papritur për jetën e tij pas futbollit profesionist, duke treguar se ka investuar miliona euro në projekte humanitare, deri në pikën ku kursimet e tij po shterojnë.

Në një intervistë për “Die Welt”, Subotic ka deklaruar: “Së shpejti kursimet e mia do të mbarojnë. Merrem me bamirësi dhe kam dhënë nga xhepi im pothuajse katër milionë euro”. Ish-futbollisti, i lindur në ish-Jugosllavi dhe i rritur në SHBA, tregoi se jeta e tij ka ndryshuar rrënjësisht me kalimin e viteve. Ai kujtoi periudhën kur jetonte si futbollist elitar: “Kisha një shtëpi të madhe me xhakuzi, drejtoja makina sportive dhe jetoja pa menduar shumë për pasojat. Por në vitin 2010 pata një kthesë të madhe në jetën time”.

Pas këtij ndryshimi, Subotic themeloi organizatën humanitare Well:Fair, e cila fokusohet në përmirësimin e kushteve të jetesës në Afrikën Lindore, duke siguruar ujë të pastër dhe shërbime sanitare për qindra mijëra njerëz. Sipas tij, organizata ka ndihmuar mbi 439 mijë persona dhe ka kaluar nga të ardhura modeste në një projekt me miliona euro qarkullim. Megjithatë, ish-mbrojtësi thekson se situata financiare personale është bërë e vështirë: “Nuk kam pasur kurrë paga të mëdha si të tjerët, prandaj mbështetja e kompanive është jetike për të vazhduar misionin”.

Subotic sot konsiderohet një nga shembujt më të njohur të ish-futbollistëve që kanë zgjedhur të përkushtohen plotësisht ndaj punës humanitare, edhe me kosto personale të lartë.

sfidanti.al