Klubi skocez Rangers ka konfirmuar zyrtarisht shkarkimin e trajnerit Russell Martin, pas vetëm 123 ditësh në drejtim. Vendimi vjen pas një fillimi zhgënjyes sezonal dhe barazimit 1-1 në transfertë ndaj Falkirk, që rezultoi të ishte ndeshja e tij e fundit në stol. Pas përfundimit të sfidës, ku Henry Cartwright barazoi në fund pas golit të Bojan Miovski për Rangers, situata u përshkallëzua me tensione jashtë stadiumit, duke detyruar policinë të shoqëronte Martin-in dhe skuadrën për t’u larguar të sigurt nga zona, pasi tifozët shprehën hapur pakënaqësinë e tyre. Martin, i cili mori drejtimin e klubit në qershor, arriti vetëm 5 fitore në 17 ndeshje, duke lënë Rangers në vendin e tetë të renditjes me vetëm 8 pikë në 7 ndeshje të kampionatit.
Në njoftimin zyrtar, klubi deklaroi:
“Rangers Football Club konfirmon se ka ndarë rrugët me trajnerin Russell Martin. Edhe pse periudhat e tranzicionit kërkojnë kohë, rezultatet nuk kanë përmbushur pritshmëritë e klubit. Bashkë me të do të largohen edhe ndihmëstrajneri Matt Gill dhe trajneri i parë Mike Williamson. Falënderojmë stafin për punën e tyre dhe u urojmë suksese në të ardhmen.” Sipas raportimeve të ‘The Guardian’, emri që po shqyrtohet seriozisht për të marrë drejtimin e ekipit është Steven Gerrard. Ikona e Liverpool-it dhe ish-trajneri i Rangers-it (2018–2021) mbetet shumë i dashur për tifozët, pasi nën drejtimin e tij skuadra fitoi titullin e parë kampion pas 10 vitesh, në sezonin historik 2020–21. Gerrard u largua më pas për të drejtuar Aston Villa-n, por qëndrimi i tij në Premier League zgjati më pak se një vit, ndërsa periudha e mëvonshme në Al-Ettifaq të Arabisë Saudite gjithashtu nuk rezultoi e suksesshme. Megjithatë, reputacioni dhe lidhja emocionale e Gerrard me Rangers e bëjnë atë kandidatin kryesor për t’u rikthyer në “Ibrox Stadium”, ku tifozët shpresojnë ta shohin sërish në stol për të rikthyer lavdinë e dikurshme.
sfidanti.al