Sponsorizuesi i Hamburgut, më i pasuri në Gjermani

Klaus-Michael Kühne, 87 vjeç, financuesi i Hamburgut, sipas Forbes, është njeriu më i pasur në Gjermani me asetet e tij prej 44 miliardë dollarësh. Por tani një hetim i thelluar nga Vanity Fair ka bërë llogaritë në xhepin e tij duke vërtetuar atë që në realitetin shumëkush e dinte tashmë, domethënë se origjina e trashëgimisë së tij gjendet në grabitjen e turpshme dhe sistematike të kryer nga nazistët kundër hebrenjve. Në fakt, Kühne nuk e mohoi kurrë babanë e tij nazist.

Klaus-Michael Kühne është mbreti i dërgesave falë gjigantit të logjistikës Kühne+Nagel, në të cilin tani është president nderi. Ai nuk ka trashëgimtarë, ai u martua kur ishte tashmë 52 vjeç me një grua një vit më të vogël se ai, Christine. Ai është financuesi kryesor i qytetit të Hamburgut, por prej dekadash banon në Zvicër si shumë miliarderë, më saktë në Schindellegi, ku ndodhet selia e kompanisë tij që nga viti 1969, edhe pse ka mbajtur shtetësinë gjermane. Ai gjithashtu financoi Elb-Philharmonie të Herzog & de Meuron dhe deklaroi se pas vdekjes së tij pasuria e tij do të menaxhohet nga fondacioni bamirës që ai krijoi dhe mbështeti.

Klaus-Michael Kühne trashëgoi kompaninë e bashkë-themeluar nga gjyshi i tij August në 1890 në Bremen dhe më pas e zhvilluar nga babai i tij Alfred me vëllain e tij Ëerner. Në vitin 1933, kur Hitleri ishte betuar si kancelar prej pak më shumë se tre muajsh, vëllezërit Kühne pa shumë skrupuj vazhduan me atë që atëherë quhej “arianizim”, domethënë ata dëbuan ortakun hebre Adolf Maas nga kompania e tyre. Ndërmjet viteve 1942 dhe 1944 biznesi i tyre mori hov dhe ata u pasuruan shumë, falë edhe Möbelaktionit, domethënë grabitjes dhe transportit në Gjermani të mobiljeve që u ishin vjedhur 70 mijë familjeve hebreje që ishin dëbuar në kampet naziste të përqendrimit.

Vëllezërit Kühne mbërrinin kudo, nga Franca në Belgjikë në Holandë, madje edhe në fshatrat më të largëta. Sipas një rindërtimi nga historiani i Mynihut Frank Bajohr, Kühne ishin ndër ata që furnizuan dhomat e gazit në të cilat u vranë hebrenjtë me Zyklon B, agjent tymosës i bazuar në acidin hidrocianik që shkaktoi vdekjen e tyre dhe që konsiderohet si një nga simbolet e Shoah.

HAMBURGU

Klaus-Michael Kühne ka arritur sukses në shumë fusha në karrierën e tij, nga logjistika te transporti, madje duke u bërë aksioner kryesor i Lufthansa. Nëse ka një fushë në të cilën, megjithatë, ai nuk ka pasur një impakt të mirë, është futbolli. Në fakt, ai investoi qindra milionë te Hamburg SV, skuadra që fitoi Kupën e Kampioneve në 1983 duke mundur Juventusin në finale me një gol të Magath. Kühne ka investuar shumë, por nuk mund të paraqitet në stadium sepse aty mbulohet nga ofendimet.

Arsyeja është se gjatë viteve ai kurrë nuk ka hequr dorë nga ndërhyrja në punët e klubit me komente gjithmonë shumë të padëshiruara për mënyrën sesi klubi i menaxhonte paratë e tij si dhe për rezultatet e marra në fushë. Ndonjëherë ai ndërhynte drejtpërdrejt në merkaton e klubit, si kur pranoi blerjen e Andre Hahn me kusht që të zgjatej kontrata e Bobby Wood (i cili pothuajse nuk shënonte më), vetëm sepse ky i fundit kishte si menaxher Volker Strut, konsulent i Kühne. Opinioni në Gjermani është se angazhimi i Kühne ndaj Hamburgut ishte më shumë negativ sesa pozitiv dhe se ai e konsideronte klubin si një lodër. Ai u përpoq gjithashtu të rriste aksionet në 39.9%, por duke qenë se ajo tejkaloi maksimumin që mund të ketë një investitor i jashtëm, drejtuesit e refuzuan injektimin e tij prej 120 milionë eurosh.

sfidanti.al