River Plejt dorëzohet në 2 500 metra lartësi, në Kupën Libertadores!

Është një nga emrat më të lavdishëm të futbollit argjentinas, latinoamerikan dhe botëror, por vetëm “xhybja” nuk mjafton. River Plejt u përplas “hundë e buzë” në Koçabamba të Bolivisë, duke u mundur 0-3 në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës Libertadores. Në 2 558 metra lartësi, Riveri edhe pse favorit i madh, nuk përballoi dot vendasit modestë të Horge Vilstermanit. Eduard Zenteno në 5’, Gilbert Alvarez në 51’ dhe Kristian Maçado në 82’ ishin autorët e golave për bolivianët që krejt papritur e shohin veten shumë pranë gjysmëfinaleve të Libertadoresit.

River nuk është se luajti keq në sulm, por ishte katastrofë në mbrojtje si dhe përpara portës, duke humbur disa gola të sigurt. Sulmuesi argjentinas, Naço Skoko gaboi pa fund dhe ekipi i tij u ndëshkua. Pretendentë për në gjysmëfinale janë edhe San Lorenco i Argjentinës që mundi 2-0 Lanusin po argjentinas, Santosi brazilian (1-1 në Ekuador ndaj Barcelonës së atij vendi) dhe Gremio po e Brazilit (0-0 në fushën e Botafogos).

Sfidanti.al