Mackenzie goditet në kokë nga një karrige

Ka qenë një kaos total në përfundim të ndeshjes Dundee United–Aberdeen, takim i javës së fundit të elitës së futbollit skocez: futbollisti i ekipit mysafir, Jack Mackenzie, është goditur në kokë nga një karrige që ra në fushë nga shkallët, pasi ishte hedhur nga vetë tifozët e tij. Skena të çmendura që prishën përfundimin e një ndeshjeje tejet të tensionuar, e cila vlente për vendin e katërt në renditje – një pozicion që garanton pjesëmarrjen në garat evropiane.

Dundee United i duhej vetëm një rezultat për të kaluar Aberdeen-in: fitorja – dhe kështu ndodhi. Fitorja 2-1, e ardhur me përmbysje, i vendos të dy skuadrat me pikë të barabarta, por vendi i katërt i takon Dundee-s. Me vërshëllimën përfundimtare nisën edhe problemet, kur tifozët vendas, në ekstazë për fitoren dhe kualifikimin në Conference League, zbarkuan në fushë për të festuar një rezultat të jashtëzakonshëm për një klub që sapo është rikthyer në Scottish Premiership pas promovimit sezonin e kaluar.

Si reagim krejtësisht i pamatur, tifozët mysafir hodhën një karrige në fushë – raporton “The Sun” – por i vetmi rezultat ishte goditja në kokë e mbrojtësit të majtë të Aberdeen-it, Jack Mackenzie, i cili u shemb në tokë. Futbollisti 24-vjeçar skocez, që për më tepër nuk luajti asnjë minutë dhe qëndroi në stol gjatë gjithë ndeshjes, mori menjëherë ndihmën e parë nga stafi mjekësor i “Dons”, ndërsa në “Tannadice Park” mbizotëronte kaosi.

Pamjet tregojnë Mackenzie me gjak në fytyrë, me një fashë të madhe në kokë, teksa më pas largohet me barrelë, por sipas informacioneve, futbollistit të Aberdeen nuk i është dashur të shtrohet në spital. “Është e papranueshme, një gjë e tillë nuk mund t’i ndodhë një futbollisti që po bën thjesht punën e tij”, tha pak pas ngjarjes trajneri i ekipit mysafir, Jimmy Thelin. Marrëdhëniet e këqija mes dy tifozerive nuk mund të justifikojnë akte kaq të papërgjegjshme: me të vërtetë mund të kishte ndodhur një tragjedi.