Pas barazimit të Barit në shtëpi kundër Avellino-s, situata për lojtarët dhe familjet e tyre u tensionua edhe më shumë, për shkak të mesazheve kërcënuese dhe fyerjeve të dërguara nga tifozë të vetëshpallur. Një nga postimet më shqetësuese u dërgua në profilin e “Instagram”-it të Rachele Risaliti, gruas së mesfushorit të Barit, Gaetano Castrovilli. Mesazhi përmbante fjalë të rënda dhe kërcënuese, duke bërë që znj. Risaliti të deklaronte: “Jam vërtet e hidhëruar, e trishtuar dhe e neveritur nga e gjithë kjo. Futbolli duhet të jetë për argëtim dhe kënaqësi, pavarësisht gjithçkaje.”
Gruaja e mesfushorit ka njoftuar se do të ndjekë veprime ligjore, ndërsa klubi i Barit ka paraqitur një ankesë në Policinë e qytetit. Ky incident nuk është i pari dhe tregon një fenomen shqetësues të urrejtjes dhe kërcënimeve ndaj lojtarëve dhe familjeve të tyre, për shkak të rezultateve sportive.
Klubi dhe familjet e lojtarëve theksojnë se futbolli duhet të mbetet një sport argëtues dhe nuk duhet të kthehet në mjet për sulme dhe fyerje personale.
sfidanti.al

