Koreja e Veriut nuk pranoi të luante prej “infeksionit bakterial”

Kreu i Komitetit Disiplinor të FIFA-s ka marrë një vendim në lidhje me ndeshjen e paluajtur ndërmjet Koresë së Veriut dhe Japonisë, e planifikuar fillimisht për 26 mars 2024 si pjesë e fazës paraeliminatore të Kupës së Botës FIFA 2026. Pas analizimit të elementeve të ndryshme faktike bazuar në legjislacionit në fuqi, presidenti i Komisionit Disiplinor të FIFA-s vendosi t’i japë fitoren në tavolinë 3-0 Japonisë. Federata e Futbollit të Koresë së Veriut u dënua gjithashtu me gjobë prej 10 mijë frangash. Ndeshja u anulua për shkak të infeksionit bakterial që po përhapej në Japoni dhe që kishte shkaktuar shqetësim tek autoritetet koreano-veriore. Konfederata Aziatike e Futbollit, e kishte shtyrë ndeshjen për një datë të mëvonshme: “Ndeshja ndërmjet Republikës Demokratike të Koresë dhe Japonisë, e planifikuar për më 26 mars, nuk do të zhvillohet siç ishte planifikuar për shkak të rrethanave të paparashikuara”. Më pas, FIFA specifikoi se ndeshja u anulua “pa shpjegime nga autoritetet e Phenianit” dhe se nuk do të riplanifikohej.

sfidanti.al