Futbollisti anglez në gjendje kritike pas dëmtimit në kokë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur futbollin anglez. Gjatë përballjes mes Chichester dhe Wingate & Finchley, sulmuesi 21-vjeçar, Billy Vigar, pësoi një dëmtim serioz në kokë që solli pasoja të rënda shëndetësore. Sipas raportimeve të BBC, lojtari u transportua me urgjencë në spital, ku mjekët konstatuan një lëndim të rëndë cerebral dhe vendosën ta futnin në koma artificiale, për t’i dhënë trupit kohë të rikuperohet. Klubi i Chichester konfirmoi ngjarjen përmes një komunikate zyrtare:

“Billy ka pësuar një dëmtim të rëndë në tru dhe ndodhet nën kujdes intensiv. Ai po merr trajtimin më të mirë të mundshëm, por është ende shumë herët për të bërë parashikime. Edhe në rast se gjërat shkojnë mirë, procesi i rikuperimit do të jetë i gjatë.” Vigar iu bashkua Chichester këtë verë nga Hastings United, ndërsa më parë kishte kaluar disa sezone tek Akademia e Arsenalit (2020–2024), ku spikati për talentin dhe perspektivën e tij. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në botën e futbollit, ndërsa mesazhe mbështetjeje po i drejtohen lojtarit dhe familjes së tij në këto momente të vështira.

sfidanti.al