Donald Trump nuk lejon përjashtimin e Izraelit nga FIFA

Administrata e Donald Trump-it ka ndërhyrë drejtpërdrejt për të penguar një vendim të mundshëm të FIFA-s për përjashtimin e Izraelit nga futbolli ndërkombëtar, në prag të ndeshjeve të radhës eliminatore të Botërorit 2026. Ky reagim vjen ndërsa UEFA po shqyrton opsionin për të pezulluar skuadrat dhe kombëtaren izraelite, pas presionit të shtuar nga Kombet e Bashkuara lidhur me luftën në Gaza. Departamenti i Shtetit, i drejtuar nga Marco Rubio, deklaroi për Sky News: “Ne do të punojmë plotësisht për të ndaluar çdo përpjekje që synon përjashtimin e kombëtares së Izraelit nga Kupa e Botës”. Një vendim i tillë do të kishte ndikim të madh, pasi Izraeli ka ndeshjen e radhës kualifikuese ndaj Norvegjisë më 11 tetor.

Presioni ndaj FIFA-s është shtuar pasi ekspertë këshillues të OKB-së kanë kërkuar sanksione sportive, duke akuzuar Izraelin për gjenocid në Gaza. Këto akuza, të cilat Izraeli i mohon, kanë sjellë thirrje që ekipet izraelite të përjashtohen nga garat ndërkombëtare, njësoj si ndodhi me Rusinë pas pushtimit të Ukrainës. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili ruan lidhje të ngushta me Trump, ka shmangur deri tani një qëndrim të prerë, duke theksuar se konfliktet janë të shumta në botë dhe sporti duhet të bashkojë njerëzit.

Një pezullim i mundshëm do të prekte drejtpërdrejt edhe garat evropiane: për shembull, ndeshja e Europa League mes Aston Villa-s dhe Maccabi Tel Aviv në nëntor nuk do të zhvillohej. Debati mbetet i hapur: ndërsa UEFA dhe FIFA peshojnë vendimin, SHBA ka bërë të qartë se do të përdorë peshën e saj politike për të mbajtur Izraelin në skenën futbollistike botërore.

sfidanti.al