Përveç futbollit, EURO 2024 na sjell edhe histori frymëzuese për të na bërë të besojmë se ëndrrat e mëdha nuk mund të mbeten në sirtar. E tillë është historia e Vernon De Marco Morlacchi, i cili ka lindur në Argjentinë, por tashmë përfaqëson Sllovakinë. Rrugëtimi për të luajtur me këtë kombëtare, nuk ka qenë aspak i lehtë. Ai u largua nga Argjentina për në Spanjë, për një jetë më të mirë. “U largova kur isha 10 vjeç dhe nuk fillova të luaja futboll deri në moshën 12-vjeçare. Unë isha aktiv në Kategorinë e Katërt spanjolle dhe rroga e ekipit nuk ishte e mjaftueshme. Fitoja 225 euro në muaj dhe mezi përballoja gazin”, ka treguar ai. Për shkak të kushteve të vështira ekonomike, e ka menduar largimin nga futbolli. “Doja të jetoja vetëm dhe fillova të punoja si kamerier në një hotel. Madje mendova të largohesha nga futbolli”, tha Vernon De Marco Morlacchi. Papritur, në vitin 2012, ai mori një telefonatë që i ndryshoi jetën.
“Ishte një e mërkurë, ora 23:00, isha në kinema me një mik dhe menaxheri im më thirri për të parë nëse doja të shkoja të provoja fatin në Ligën e Dytë Sllovake. Më duhej të shikoja hartën për të gjetur atje ku ishte vendi”, kujton ai. Nënshkrimi i tij për Zemplin Michalovce e katapultoi atë. Në vitin 2015 u promovua në Kategorinë e Parë dhe në vitin 2016 nënshkroi për Slovan Bratislava. Në vitin 2017 shkoi te Lech Poznan dhe në vitin 2021, mori nënshtetësinë sllovake dhe debutoi me kombëtaren. Për më tepër, ai shënoi në debutimin e tij kundër Maltës (6-0). “Ishte një moment i pabesueshëm. Menjëherë pas golit as që e besova, mendova se po ëndërroja. Jam i lumtur që fitova dhe gjithashtu jam i lumtur për debutimin tim me kombëtaren”, pranoi ai pas debutimit. Sot është një lojtar i rëndësishëm i Sllovakisë dhe pritet të zbresë në fushë për të përjetuar një tjetër ëndërr të bërë realitet.
sfidanti.al