Në një moment kur mjaft dëmtime po ndodhin tek lojtarët e kombëtares, trajneri Silvinjo mund të jetë i qetë për Mirlind Dakun. Ndërsa pret kthimin e mundshëm të Armando Brojës, ndërsa Myrto Uzuni është larguar pak si shumë, deri në Shtetet e Bashkuara, sulmuesi që luan në Rusi e ka lënë pas lëndimin. Daku u aktivizua në miqësoren e radhës të skuadrës së tij, Rubin, luajtur në Antalia të Turqisë ndaj kombëtares së Koresë së Veriut. Ylli 26-vjeçar u largua para kohe nga fusha në ndeshjen përgatitore paraardhëse, atë të humbur kundër Nefçit të Bakusë nga Azerbajxhani.
Sidoqoftë, përndrydhja e kaviljes kishte qenë problem vogël, dhe trajneri Rahimov e pati në fushë sulmuesin e kombëtares shqiptare, edhe pse ai nuk shënoi dot gol, dhe sfida me koreanoveriorët u humb 1-4. Shpresohet që Daku të mos ketë shqetësime të tjera, ndërsa Rubini do të luajë edhe dy miqësore në Antalia, përpara ndeshjes së parë të Premier Ligës ruse në 1 mars, në fushën e Ahmatit në Grozni. Shqiptari nga Kosova do të vazhdojë në ekip të paktën deri në fund të këtij sezoni, kur i përfundon edhe kontrata, ndonëse shpresohet të ketë bisedime për rinovim. Trajneri Rahimov pohoi në intervistën për televizionin Maç pas ndeshjes me Korenë e Jugut se do të jetë e vështirë që Daku të mbahet gjatë në ekip. Sulmuesi ka 9 gola e 5 asistë në 17 ndeshjet e para të Premier Ligës ruse këtë sezon.
sfidanti.al